Arrestohen katër persona gjatë operacionit antidrogë në Ferizaj, sekuestrohen mbi 17 kg heroinë
Një operacion i koordinuar ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, përmes Task-Forcës “White Star”, i zhvilluar më 13 prill në komunën e Ferizajt, ka rezultuar me arrestimin e dy personave të tjerë të dyshuar për trafikim të narkotikëve.
Me këto arrestime, numri i përgjithshëm i të ndaluarve në këtë rast ka arritur në katër persona.
Të dyshuarit, A.D., S.Sh., M.Sh. dhe M.B., po hetohen për disa vepra penale, duke përfshirë pjesëmarrjen ose organizimin e grupit kriminal të organizuar, posedimin dhe shpërndarjen e paautorizuar të narkotikëve, si dhe shpëlarjen e parave.
Gjatë operacionit, autoritetet kanë sekuestruar rreth 17 kilogramë e 900 gramë heroinë, sasi e cila sipas vlerësimeve ishte përgatitur për trafikim.
Me urdhër të gjykatës janë kryer kontrolle në katër lokacione të ndryshme, ku përveç lëndës narkotike janë gjetur edhe prova të tjera materiale që do të përdoren në procedurë penale.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa Prokuroria Speciale pritet të kërkojë masën e paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Hetimet, sipas autoriteteve, kanë çuar në identifikimin e rrjetit kriminal dhe lokacioneve ku dyshohet se është kryer aktiviteti i trafikimit, ndërsa dy persona të tjerë mbeten në kërkim policor. /Zëri
