Policia për zjarrin tragjik në Malishevë: Tre viktima, po hetohen shkaqet

Policia për zjarrin tragjik në Malishevë: Tre viktima, po hetohen shkaqet

Kronika April 16, 2026 - 17:50

Një zjarr në një banesë në lagjen “Mirdita” në Malishevë ka përfunduar me pasoja tragjike, ku tre persona kanë humbur jetën.

Komandanti i stacionit policor, Nazmi Zogaj, tha se Policia ka pranuar informatën për zjarrin rreth orës 12:55 dhe menjëherë ka aktivizuar njësitë emergjente.

“Po, siç jeni të njoftuar edhe ju për një rast tragjik që ka ndodhur sot në komunën e Malishevës, ne si polici në orën 12:55 minuta kemi pranuar një informatë për një banesë në banimin kolektiv social që është në lagjen ‘Mirdita’, që është duke u djegur një banesë dhe kemi njoftuar njësitë emergjente edhe njësitë e zjarrfikësve që t’u ofrojmë ndihmë banorëve që dyshohet që kanë qenë brenda”, tha ai.

Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë arritur policia, zjarrfikësit dhe emergjenca, ku është hasur një person pa vetëdije dhe dy fëmijë që janë dërguar për trajtim.

“Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitë tona, njësitë zjarrfikëse edhe emergjenca shëndetësore, të cilët kanë hasur një person aty pa vetëdije, menjëherë është shoqëruar, është marrë dhe është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ndërsa dy fëmijët që kanë qenë në banesë janë dërguar nga një banues aty pranë”, tha ai.

Sipas tij, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tre personave në QKMF, ndërsa viktimat janë të moshës 35, 9 dhe 12 vjeç.

“Mjekët e kanë konfirmuar vdekjen e tyre në Qendrën e Mjekësisë Familjare, mosha e viktimave ka qenë 35, 9 dhe 12 vjeçar. Edhe në vendngjarje edhe ju e keni vërejtur që kanë qenë hetimet rajonale që kanë kryer vendshikimin e vendngjarjes, ka qenë prezent edhe prokurorja e cila ka mbikëqyrë hetimet. Me urdhër të prokurores, viktimat janë dërguar në mjekësinë ligjore për ekzaminim mjekoligjor. Kjo është informata të cilën e kemi deri më tani”, tha ai.

Zogaj theksoi se banesa është djegur rëndë, ndërsa shkaku i zjarrit mbetet ende i panjohur dhe është në fazën e hetimeve.

“Banesa ka qenë shumë e djegur, edhe burimi i zjarrit edhe arsyeja janë duke u bërë hetimet e mëtutjeshme. Në momentin që ta marrim një raport nga ekspertët e zjarrit edhe nga shikimi i hetuesve të krimeve teknike, ne mund ta konfirmojmë burimin e saktë se si ka ardhur deri te ky zjarr. Deri më tani nuk kemi informatë për bombol gazi, sepse nuk është dëgjuar nga dëshmitarët për ndonjë shpërthim aty”, tha ai. /eo