Vdes tragjikisht zyrtari i Shërbimit Korrektues, Granit Sherifi
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar me pikëllim të thellë për ndarjen tragjike nga jeta të zyrtarit të tij, Granit Sherifi.
Përmes një telegrami ngushëllimi, ky institucion ka bërë të ditur se lajmi për vdekjen e tij ka prekur rëndë të gjithë kolektivin, duke e cilësuar Sherifin jo vetëm si koleg, por edhe si mik dhe njeri me shpirt të madh.
“Sherifi ishte një model i përkushtimit dhe integritetit, i cili la gjurmë të pashlyeshme në mesin tonë”, thuhet në reagim.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, në emër të institucionit ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur të ndjerin.
Ndërsa, Policia e Kosovës ka njoftuar se deri te vdekja ka ardhur si pasojë e një aksidenti me traktor që dyshohet se ka ndodhur rreth orës 11:00 në Revuqë të Podujevës.
“Policia në koordinim me prokurorinë po heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do ti kontribuonin hetimit të ngjarjes përderisa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, thekson PK-ja. /Zëri