Apeli kthen në rigjykim rastin për shpëlarjen e mbi 125 mijë eurove
Foto: Laura Hasani

Apeli kthen në rigjykim rastin për shpëlarjen e mbi 125 mijë eurove

Kronika May 04, 2026 - 10:50

Është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit rasti për shpëlarjen e mbi 125 mijë eurove dhe për vepra tjera penale, me të akuzuar Florim Laçin, Hamëz Limajn, Arment Oranën, Shabedin Rekën, Avdush Qukovcin dhe Lavdim Sllamnikun.

Sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar të Gjykatës Themelore në Prishtinë është i paqartë në brendinë e tij dhe si i tillë është në kundërshtim me arsyetimin, shkresat e lëndës dhe procesverbalet e shqyrtim gjyqësor të kësaj çështjeje penale dhe po ashtu përmban shkelje esenciale të natyrës absolute dhe relative.

“Dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i paqartë në brendinë e tij dhe si i tillë është në kundërshtim edhe me arsyetimin, në të cilin arsyetim gjykata e shkallës së parë përveç se nuk ka paraqitur asnjë arsye përkitazi me aprovimin e fajësisë për secilin të akuzuar veç e veç dhe për veprat penale për të cilat janë ngarkuar me aktakuzë, një konstatim i tillë si në aktgjykimin e ankimuar është në kundërshtim edhe me shkresat e lëndës gjegjësisht procesverbalet e shqyrtim gjyqësor të kësaj çështje penale”, thuhet në vendimin e Apelit të datës 21 prill 2026, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Themelorja në Prishtinë më 14 maj 2024 të akuzuarit, Florim Laçi dhe Hamëz Limaj, për “Shpëlarje parash”, i kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj dhe dënim me gjobë prej 3 mijë e 500 eurove.

Të akuzuarit Shabedin Reka dhe Avdush Qukovci, për veprat penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve përfituara me kryerjen e veprës penale” dhe “Shpëlarje parash”, i kishte dënuar me nga 2 vite e 3 muaj burgim dhe nga 3 mijë e 500 euro gjobë.

Kurse të akuzuarin Arment Orana, për veprat penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve përfituara me kryerjen e veprës penale”, “Shpëlarje parash” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, e kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjetësh e 3 muajsh dhe me gjobë prej 4 mijë e 300 eurove.

Të akuzuarin, Lavdim Sllamniku, për “Shpëlarje parash” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, e kishte dënuar me burgim prej 2 vjetësh e 6 muajsh dhe me gjobë prej 5 mijë e 300 eurove.

Ndaj vendimit të shkallës së parë, ankesë kishte ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Florim Laçi, avokati Ilir Hoxhaj, i cili ka kërkuar nga Apeli që klientit të tij t’i shqiptohet një dënim më i butë, apo që lënda të kthehet në rigjykim.

Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Shabedin Reka, avokati Kadri Begolli, me ankesë ka kërkuar nga Apeli që aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë, ashtu që ndaj klientit të tij të shqiptojë një dënim më të butë.

Ankesë ka paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Arment Orana, avokatii Selman Bogiqi, duke kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim ose ndaj Oranës të shqiptohej një dënim më i butë dhe atë me gjobë dhe me kusht.

Mbrojtësi i të akuzuarit Avdush Qukovci, avokati Florent Latifaj, me ankesë ka kërkuar nga Apeli ta kthejë lëndën në rivendosje apo ta hedhë poshtë vetë këtë akt akuzues.

Tutje, mbrojtësit e të akuzuarit Lavdim Sllamniku, avokatët Shkelzen Sopjani dhe Shkodran Manaj, kanë kërkuar nga Apeli që klienti i tyre të lirohet nga akuza.

Dhe krejt në fund, ankesë ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Hamëz Limaj, avokati Enver Maxhuni, i cili ka kërkuar nga Apeli që klientit të tij t’i shqiptohet një dënim më i butë.

Përgjigje në ankesën e mbrojtësit të Laçit, avokatit Ilir Hoxha, ka parashtruar prokurori i PSRK-së, me propozim që të refuzohet ankesa e tij për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal dhe vendimit mbi konfiskimin, ndërsa
të vërtetohet aktgjykimi i ankimuar.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit ka propozuar që të aprovohet përgjigja në ankesë e Prokurorisë Speciale, ndërkaq ankesat e mbrojtjes t’i refuzojë si të pabazuara dhe të vërtetohet vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjetjet e Apelit:

Apeli, pas analizimit të aktgjykimit të ankimuar, shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore të mbrojtjes, ka gjetur se vendimi i shkallës së parë është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale të natyrës absolute dhe shkeljet të natyrës relative.

Shkalla e dytë gjen se dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i paqartë në brendinë e tij dhe si i tillë është në kundërshtim edhe me arsyetimin.

Po ashtu, në arsyetim, Apeli sa i përket shkeljeve ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në këtë çështje penale shqyrtimin gjyqësor e ka mbajtur pa praninë e të akuzuarve Hamëz Limaj, Arment Orana dhe Avdush Qukovci, duke shkelur kështu dispozitat ligjore që saktësojnë qartë se fjalën e fundit gjithmonë e merr i akuzuari.

Për më tepër, Apeli thekson se nga shkresat e lëndës nuk rezulton me asnjë provë që gjykata e shkallës së parë të ketë bërë përpjekje të arsyeshme për të gjetur të akuzuarit për seancën e shqyrtimit gjyqësor të datës 10 maj 2024, në të cilën kishte vendosur që të mbajë shqyrtimin gjyqësor në mungesë të pandehurve të lartcekur.

Apeli po ashtu ka gjetur se, aktgjykimit të ankimuar i mungon në tërësi arsyetimi dhe se në asnjë pikë të tij gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë ndonjë arsyetim se për cilin të akuzuar dhe për çfarë vepre penale, ka aprovuar pranimin e fajësisë së të akuzuarve.

Pra, Apeli gjen se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale pasi që të njëjtit i mungon arsyetimi në raport me të akuzuarit Florim Laçi, Shabedin Reka, Hamëz Limaj, Arment Orana dhe Avdush Qukovci.

Po ashtu, shkalla e parë gjen se, gjykata e shkallës së parë në asnjë pikë të aktgjykimit nuk ka dhënë asnjë arsyetim lidhur me pranimin e fajësisë për të pandehurit në këtë çështje penale.

Gjykata e Apelit rikujton se, parimi i pranimit të fajësisë obligon gjykatën që të përcaktojë, nëse i akuzuari e kupton natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë dhe po ashtu pranimi bëhet në mënyrë vullnetare pas konsultimit të mjaftueshëm me mbrojtësin e tij, edhe pse, sipas Apelit, në këtë çështje penale nuk është fare e qartë nëse ka apo jo pranim të fajësisë nga i akuzuari Avdush Qukovci.

Andaj, nga këto, sipas Apelit rezulton se gjykata e shkallës së parë përveç përshkrimit të deklarimeve dhe konstatimeve për provat materiale, nuk ka zbatuar obligimin ligjor për të vlerësuar me ndërgjegje çdo provë një nga një.

Rekomandimet e Apelit për shkallën e parë janë se: gjykata e shkallës së parë në rigjykim duhet që të ketë parasysh çështjen e pranimit të fajësisë dhe të japë arsyetim të qartë me rastin e shqyrtimit të pranimit apo refuzimit të fajësisë nga të akuzuarit, për secilën nga veprat penale për të cilat i ngarkon aktakuza.

Sipas aktakuzës së PRSK-së, të ngritur më 3 qershor 2022, Florim Laçi, Hamëz Limaj, Arment Orana, Shabedin Reka, Avdush Qukovci dhe Lavdim Sllamniku, akuzohen për “Shpëlarje të parasë”. Të akuzuarit Reka, Orana dhe Qukovci ngarkohen edhe për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”. Kurse, të akuzuarit Osana dhe Sllamniku ngarkohen edhe për “Armëmbajtje pa leje”.