Egzona i jep lamtumirën vëllait të saj, familja shtrin dorën e pajtimit

Egzona i jep lamtumirën vëllait të saj, familja shtrin dorën e pajtimit

Kronika May 06, 2026 - 19:51

Familja Brahimaj i ka dhënë sot lamtumirën e fundit 30-vjeçarit Rexhë Brahimaj, i cili humbi jetën pas një incidenti më 4 maj në Gjakovë.

Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik, ndërsa dhimbja e familjarëve është reflektuar gjerësisht edhe përmes rrjeteve sociale.

Motra e të ndjerit, Egzona Muqiqi, e cila është njëherësh bashkëshortja e këngëtarit Albatrit Muqiqi, ka ndarë një moment prekës me ndjekësit e saj.

Krahas njoftimit mortor në llogarinë e saj personale në Instagram, ajo ka publikuar një fotografi bardh e zi në Instastory. Në imazh shihen duart e saj teksa prekin portretin e vëllait të ndjerë në kornizë, një gjest lamtumire që vjen pas reagimit të saj të parë ku shprehte dhimbjen e thellë për këtë humbje të papritur.

Ceremonia e varrimit u zhvillua pasditen e sotme në varrezat e fshatit Jabllanicë të Gjakovës. Ndërkohë, në një gjest domethënës që tejkalon dhimbjen e ngjarjes, familja e të ndjerit ka vendosur t’i shtrijë dorën e pajtimit familjes së të dyshuarit, i cili u vetëdorëzua në polici.

Ky akt faljeje mbyll këtë kapitull tragjik me një mesazh paqeje mes dy familjeve.

Urojmë që i ndjeri të pushojë në paqe dhe të afërmit të gjejnë forcën për ta përballuar këtë humbje.