55-vjeçarja nga Deçani u gjet pa shenja jete në rrjedhën e ujit të Lumbardhit
Është gjetur pa shenja jete Shyhrete Pajaziti, 55-vjeçarja nga Deçani e cila u raportua e zhdukur para disa ditësh. Kjo u konfirmua nga kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj.
Ndërkohë detaje rreth këtij rasti tragjik ka dhënë Deni Hameli, nga Kërkim-Shpëtimi Malor i Kosovës.
Ai tha se trupi i viktimës është gjetur në rrjedhën e ujit të Lumbardhit.
“Trupi i viktimës është gjetur 7 kilometra e gjysmë nga vendi ku dyshohet se është aksidentuar. Është vërejtur nga banorët e zonës, trupi ka qenë në rrjedhën e ujit të Lumbardhit, pjesa ku lidhet me Drinin”, deklaroi ai për Klankosova.tv.
Hameli shtoi se trupi i të ndjerës kishte hasur në një pengesë në ujë, dhe i njëjti është gjetur nga banorët.
“Trupi ka hasur në një pengesë natyrale në ujë. Banorët e zonës na kanë njoftuar neve, derisa kërkimet kishin qenë duke vazhduar nga policia, ekipet e kërkim – shpëtimit, zjarrfikësit dhe banorët e zonës”, shtoi ai.
“Kemi shkuar dhe e kemi tërhequr pastaj trupin, e kemi vendosur në barrelë dhe kemi vazhduar me procedura tjera të nevojshme”.