Dëmi mbi 100 mijë euro, shpallen fajtorë dy të akuzuar për korrupsion në Pallatin e Rinisë
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shpalljen fajtorë të Astrit Zogianit dhe Faton Rrustemit, të akuzuar në rastin e korrupsionit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Në reagimin e PSRK-së, ky vendim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit, llogaridhënies dhe integritetit institucional.
“Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe që çdo keqpërdorim i detyrës zyrtare të trajtohet në përputhje me ligjin”, thuhet në reagimin e PSRK-së.
Në seancën fillestare e cila u mbajt të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Astrit Zogiani, në cilësinë e menaxherit të financave dhe Faton Rrustemi, përgjegjës i sigurimit në Pallatin e Rinisë, pranuan fajësinë lidhur me akuzat për korrupsion.
Sipas organit të akuzës, dëmi i shkaktuar në këtë rast arrin mbi 107 mijë euro.
Astrit Zogiani akuzohej për veprat penale: “Përvetësim në detyrë” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, derisa Faton Rrustemi për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
“Pallati i Rinisë”, në cilësinë e palës së dëmtuar, ka kërkuar kompensim të dëmit material në shumën prej 107 mijë e 675 eurove e 21 centësh.