Digjet një shtëpi në Vushtrri, familjarët hedhin dyshime për neglizhencë nga KEDS-i

Digjet një shtëpi në Vushtrri, familjarët hedhin dyshime për neglizhencë nga KEDS-i

Kronika May 29, 2026 - 09:48

Një ngjarje e rëndë ka tronditur një familje në fshatin Dolak të Vushtrrisë, pasi gjatë natës është përfshirë nga zjarri shtëpia e Driton Pllanës, djalit të vetëm të martirit të lirisë, Sabri Hashim Pllana.

Sipas reagimeve të familjarëve dhe banorëve të lagjes, dyshohet se deri te shpërthimi i zjarrit ka ardhur si pasojë e problemeve të vazhdueshme me furnizimin me energji elektrike dhe tensionit të dobët në rrjet.

Familjarët kanë deklaruar se për një kohë të gjatë kishin bërë ankesa, thirrje dhe peticione ndaj KEDS-it, duke kërkuar intervenim për shkak të problemeve me energjinë elektrike në zonë.

Ata thonë se ekipet e KEDS-it kishin dalë disa herë në terren, kishin kryer matje dhe kishin konstatuar se problemi ishte real, madje sipas tyre ishte përmendur edhe nevoja për intervenim emergjent në linjë, transmeton Zeri.info.

“Kur qytetarët paralajmërojnë me kohë dhe institucionet përkatëse nuk veprojnë, pasojat nuk mbesin vetëm materiale – ato prekin familje dhe zemra”, thuhet në reagimin e familjarëve.

Driton Pllana përshkruhet nga të afërmit si një djalë punëtor dhe i përkushtuar, i cili mundohej të siguronte jetesën e familjes me shumë sakrificë.

Familjarët dhe banorët kanë shprehur shpresën që institucionet dhe KEDS-i të tregojnë përgjegjësi dhe përkrahje për familjen, në mënyrë që shtëpia të rindërtohet sa më shpejt. /Zëri