Dy shoferëve u konfiskohen automjetet pas shkeljeve të rënda në trafik në Ferizaj
Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka vazhduar zbatimin e masave për rritjen e sigurisë në trafik, duke ndërmarrë veprime ndaj dy shoferëve që kanë kryer kundërvajtje të rënda në komunikacionin rrugor.
Sipas njoftimit të PK-së, rasti i parë është evidentuar më 1 qershor 2026 në rrugën magjistrale në fshatin Babush, ku policia ka ndaluar A.F., 26 vjeç, i cili po drejtonte një veturë të tipit BMW 320 me targa vendore.
“Gjatë kontrollit është konstatuar se ai po lëvizte me shpejtësi 85 kilometra në orë në një zonë ku kufizimi i lejuar është 50 kilometra në orë. Pas verifikimit të dokumentacionit, policia ka konstatuar se ndaj tij ishte në fuqi masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit për periudhën 8 maj – 5 gusht 2026. Për këtë shkelje, atij i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, i janë vendosur pesë pikë negative, i është vazhduar masa mbrojtëse edhe për gjashtë muaj dhe i është konfiskuar automjeti”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kurse, sipas PK-së, rasti i dytë është regjistruar po më 1 qershor 2026, rreth orës 18:10, në rrugën magjistrale në Ferizaj.
“Policia ka ndaluar E.M., 21 vjeç, i cili po drejtonte një veturë të tipit VË Golf me targa vendore, duke përdorur telefonin mobil gjatë ngasjes. Edhe në këtë rast, pas verifikimit të dokumentacionit, është konstatuar se shoferi kishte në fuqi masën mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit për periudhën 28 prill – 27 korrik 2026. Si pasojë, atij i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, i janë vendosur pesë pikë negative, i është vazhduar masa mbrojtëse edhe për gjashtë muaj dhe i është konfiskuar automjeti”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri