Aktakuzë ndaj pesë personave për krime lufte në Fushë-Kosovë
Foto: Laura Hasani

Aktakuzë ndaj pesë personave për krime lufte në Fushë-Kosovë

Kronika June 01, 2026 - 14:59

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Të pandehurit P.N., Z.D., I.I., S.M. dhe J.D. akuzohen se si pjesëtarë të Policisë serbe në Stacionin Policor në Fushë-Kosovë, më 6 maj 1999, kanë kryer krime lufte në Fushë-Kosovë.

Sipas aktakuzës, ata kanë ndaluar dhe marrë me forcë pesë civilë, të cilët nga stacioni i trenit janë dërguar në vendin e quajtur “Megja”, ku janë ekzekutuar me armë zjarri.

PSRK-ja ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që gjykimi të mbahet në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë. /Zëri