Zënka mes fëmijëve përfundoi me vrasje në Gjakovë, Policia jep detaje
Policia jep detaje për rastin ku u vra një person në Gjakovë
Një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra gjatë një përleshjeje fizike që ndodhi mbrëmjen e së dielës në Gjakovë.
Zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Gjakovës, Vlera Krasniqi, bëri të ditur se rreth orës 21:30 policia ka pranuar informatën për një përleshje në rrugën “Ali Ibra”.
“Si pasojë e këtij incidenti, katër persona kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Gjakovë. Njëri nga të lënduarit ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, dyshohet nga një mjet i mprehtë. Ndër të lënduarit është edhe personi i dyshuar”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas policisë, njësitë relevante kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Bazuar në dyshimet e para, motivi i incidentit lidhet me një zënkë mes fëmijëve, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.
Rastin më heret e ka konfirmuar për Zërin, edhe Drejtori Rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Kolonia” në Gjakovë, derisa numër i madh i Policisë tashmë janë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rastin. /Zëri