Arrestohen kryetari dhe kryesuesi i Komunës së Mitrovicës së Veriut

Arrestohen kryetari dhe kryesuesi i Komunës së Mitrovicës së Veriut

Kronika June 05, 2026 - 11:22

Inspektorati Komunal i Mitrovicës së Veriut ka dalë sot rreth orës 10:00 në lokacionin ku ndodhet mbishkrimi “E dua Mitrovicën”, me qëllim largimin e tij, ndërsa gjatë aksionit Policia e Kosovës ka arrestuar kryetarin e Komunës, Milan Radojeviq, dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal, Ivan Zaporozac.

Pas arrestimit, para stacionit policor në Mitrovicën e Veriut janë mbledhur anëtarë të Listës Serbe, ndërsa në stacion ka mbërritur edhe avokati Predrag Miljkoviq, i cili do t’i përfaqësojë të ndaluarit, raporton mediumi në gjuhën serbe kosovo-online, transmeton Zeri.info.

Sipas raportimeve, ndërhyrja e Policisë së Kosovës ndodhi në momentin kur Radojeviqi tentoi që me sprej të kuq ta ngjyroste zemrën e gjelbër që është pjesë e instalacionit. Në atë moment policia ka ndërhyrë dhe e ka larguar kryetarin e komunës nga vendi i ngjarjes.

“Siç e shihni, po më shtyjnë dhe po më tërheqin për krahu. Gjithçka mund të pritet”, ka deklaruar Radojeviqi, teksa po shoqërohej nga policët drejt automjetit policor.

Autoritetet komunale kishin njoftuar më herët Policinë e Kosovës për largimin e planifikuar të mbishkrimit, në përputhje me procedurat ligjore. Në vendngjarje ishte i pranishëm edhe një kamion i kompanisë së angazhuar nga komuna për largimin e shkronjave të instalacionit.

Gjatë aksionit është vërejtur një prani e shtuar e forcave policore, si me uniformë, ashtu edhe me rroba civile, si dhe disa automjete policore. /Zëri