Policia paralajmëron qytetarët për një tjetër SMS mashtrues: Mos klikoni në linqe të dyshimta
Policia e Kosovës ka njoftuar se është identifikuar një tjetër mesazh SMS mashtrues që po shpërndahet në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke pretenduar në mënyrë të rreme se qytetarët kanë gjoba trafiku dhe duke i nxitur të klikojnë në linqe të ndryshme.
Sipas Policisë, mesazhi nuk është zyrtar dhe qytetarët duhet të tregojnë kujdes të shtuar ndaj tentativave për mashtrim online.
Policia u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në linqe të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të shmangin hapjen e faqeve që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.
Në rast se pranojnë mesazhe të tilla, qytetarët këshillohen t’i fshijnë menjëherë, t’i raportojnë tek autoritetet përkatëse dhe të kontaktojnë bankën nëse kanë ndarë ndonjë informacion financiar apo personal.
“Raportoni përmes aplikacionit ‘Lajmëro Policinë’ ose telefononi në numrin 192”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë dhe të kujdesshëm ndaj mashtrimeve online që synojnë vjedhjen e të dhënave personale dhe financiare. /Zëri