Aktakuzë ndaj dy inspektorëve të ATK-së, iu morën ryfshet nga 300 euro dy bizneseve në Gjakovë gjatë 2022-tës
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve me inicialet D.N. dhe E.Q.
Në aktakuzë ndër të tjera ceket se të pandehurit, në cilësi të personave zyrtar - Inspektor të ATK-së, në dy raste të ndryshme gjatë vitit 2022 në Gjakovë, në bashkëveprim kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë biznesesh, me qëllim që të mos veprojnë në përputhje me detyrat e tyre zyrtare.
Sipas aktakuzës po ashtu, thuhet se në të dy rastet, të pandehurit në bashkëveprim kanë kërkuar dhe pranuar shumën prej 300 eurosh, për secilin rast.
"Me këto veprime, të pandehurit D.N. dhe E.Q., në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës", thuhet në aktakuzë .
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale që u vihet në barrë, si dhe t'u shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik. /Zëri