“Zhduket” i dënuari për vrasje, u lirua nga burgu i Dubravës për fundjavë dhe s’u kthye më te qelia
Një person është larguar nga Burgu i Dubravës për të kaluar fundjavën në shtëpinë e tij, por më nuk është kthyer.
Kjo është konfirmuar nga Policia në Pejë.
Ata kanë thënë se personi që është larguar është Veprim Nikqi dhe është i dënuar për vrasjen e Luan Kelmendit më 22 korrik 2010, ndërsa i ka shkaktuar lëndime te rënda trupore Shpëtim Kelmendit.
Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim me qytetarët që kushdo që ka ndonjë informacion t’i informoj.
“Në këtë rast kërkojmë nga të gjithë qytetarët që kush ka ndonjë informacion për vendndodhjen e tij të na informojë në numrat e telefonit apo E-mail adresën: 192 dhe 080019999 (pa pagesë), 039 432 327 - Drejtoria Rajonale Pejë, e-mail adresa: [email protected]“, kanë thënë nga Policia në Pejë për lajmi.net.
Nikqi po e vuante dënimin e tij me burg që nga 2014-a, kur ishte dënuar me 25 vjet burgim.