Vjedhje e pyllit në Kaçanik, konfiskohen motosharra dhe shqiptohen gjoba
Në rajonin e Kaçanikut, gjatë kontrolleve në terren për mbrojtjen e pyjeve, policia ka hasur një rast të dyshuar të prerjes së paligjshme të druve.
Sipas njoftimit të PK-së thuhet se një automjet i tipit “pikap” me targa vendore është ndalur pasi drejtuesi i tij ishte duke prerë dru me motosharre dhe duke i përgatitur për transport, raporton Zeri.info.
Njoftimi i plotë:
Gjatë realizimit të aktiviteteve operative në terren për mbrojtjen e pyjeve, në rajonin e Kaçanikut është trajtuar një rast i vjedhjes së pyllit. Njësitet policore të Kaçanikut kanë hasur një automjet pikap me targa vendore, ku i dyshuari ishte duke prerë dru me motosharre dhe duke i përgatitur për transport.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, është iniciuar rasti “Vjedhje e pyllit”, ndërsa pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Automjeti është liruar, ndërsa motosharra është konfiskuar.
Gjatë veprimeve në vendngjarje janë identifikuar edhe dy pikap tjerë me targa vendore, ku drejtuesit posedonin motosharra. Automjetet janë liruar, ndërsa motosharrat janë konfiskuar.
Ndaj drejtuesve të automjeteve janë shqiptuar tiketa kundërvajtëse për drejtim të automjetit me regjistrim të skaduar.