Vazhdon gjykimi për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit
Në seancën gjyqësore, ku palët paraqitën deklaratat hyrëse, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi në rastin e shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në veri të Kosovës.
Prokuroria Speciale e Kosovës, në dhjetor të vitit 2025, ngriti aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviqit, për veprat penale “rrezikim i rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike” dhe “kryerje e aktit terrorist”. Të tre të akuzuarit u deklaruan sërish të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Dy prej të akuzuarve, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, ndodhen në paraburgim që nga arrestimi i tyre pas shpërthimit të 29 nëntorit 2024, ndërsa Igor Dimoviq po mbrohet në liri.
Siç raportoi portali "Betimi për Drejtësi", i cili përcjell proceset gjyqësore në Kosovë, prokurori Bekim Kodraliu gjatë fjalës hyrëse theksoi se ekspertët e Byrosë Federale amerikane të Hetimit (FBI) kanë analizuar dheun e gjetur në çizmet e të akuzuarve dhe e kanë krahasuar atë me dheun e gjetur në vendin ku ndodhi sulmi.
Sipas prokurorit, përfundimet e ekspertëve tregojnë se mostrat e dheut të marra nga çizmet e dy të akuzuarve, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, kishin të njëjtat karakteristika me dheun e gjetur në vendin e ngjarjes.
“Para jush do të dëshmohet se të akuzuarit kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në sulmin terrorist ndaj kanalit Ibër-Lepenc”, tha ai.
Prokurori Kodraliu deklaroi gjithashtu se Qeveria e Serbisë “ka pasur rol kyç në përgatitjen e këtij sulmi”.
“Do të paraqesim prova konkrete lidhur me trajnimet dhe përgatitjet specifike, të cilat, sipas provave, janë zhvilluar në poligonin ushtarak të quajtur ‘Pasulanske Livade’ në Republikën e Serbisë... E gjithë kjo ka qenë pjesë e përgatitjeve për veprimtari të paligjshme kundër shtetit të Republikës së Kosovës”, tha Kodraliu.
Çfarë është Ibër–Lepenci?
Ndërmarrja kosovare Ibër–Lepenc, me seli në Prishtinë, furnizon me ujë të papërpunuar impiante industriale dhe shërben për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore.
Kjo ndërmarrje furnizon me ujë edhe disa qytete në Kosovë nga liqeni i Ujmanit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve të saj.
Sipas faqes zyrtare të kësaj ndërmarrjeje, kompania është themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës më 28 shkurt 1967.
Ndërtimi i këtij hidrosistemi është zhvilluar në dy faza: faza e Ibrit, e cila përfundoi në vitin 1986, dhe faza e Lepencit, e cila nuk u realizua kurrë.
Sot, kjo ndërmarrje është shoqëri aksionare, 100 për qind në pronësi të Qeverisë së Kosovës.
Çfarë thanë avokatët mbrojtës?
Në seancën e 9 korrikut, avokatët mbrojtës Nebojsha Vllajiq, Millosh Delleviq dhe Jellena Krivokapiq paraqitën një sërë vërejtjesh për aktakuzën, duke e cilësuar atë si “të njëanshme dhe të kundërligjshme”.
Avokati Vllajiq theksoi se Kodi i Procedurës Penale parashikon që prokurori është i detyruar t’i vërtetojë me të njëjtin kujdes si faktet që shkojnë në favor të të pandehurit, ashtu edhe ato që e ngarkojnë atë, duke shtuar se mbrojtja ka propozuar dhjetë prova.
Pas seancës, avokati Vllajiq deklaroi para gazetarëve se provat e Prokurorisë Speciale janë “të dyshimta dhe të njëanshme”, pasi, sipas tij, prokurori ka refuzuar të gjitha provat e propozuara nga mbrojtja.
Ndërkaq, avokati Millosh Delleviq tha se nga aktakuza nuk mund të kuptohet qartë se për çfarë akuzohen konkretisht të pandehurit, por se Prokuroria përdor “formulime kolektive”, duke pretenduar se vëllezërit Viqentijeviq “së bashku me persona të tjerë të panjohur vendosën lëndën shpërthyese, ndezën fitilin dhe aktivizuan eksplozivin”.
“Ne duhet të bëjmë diçka që nuk është detyra jonë – të provojmë pafajësinë. Këtë do ta dëshmojmë duke paraqitur të paktën katër dëshmitarë që do të konfirmojnë alibinë e tij dhe të paktën dy video-incizime që do të tregojnë se ku ndodhej ai në kohën e shpërthimit”, tha Delleviqi, i cili mbron Dragisha Viqentijeviqin.
Avokatja Jellena Krivokapiq, e cila mbron Igor Dimoviqin, u tha gazetarëve se armët e gjetura në shtëpinë e klientit të saj janë “një koleksion të vjetër dhe jofunksional”.
“I kemi njoftuar se cilat prova do t’i paraqesim dhe pres që gjykata, pasi t’i vlerësojë të gjitha provat, të vendosë se i vetmi aktgjykim i drejtë dhe i ligjshëm është ai lirues”, tha ajo.
Çfarë tjetër thuhet në aktakuzë?
Prokuroria i ngarkon Jovan dhe Dragisha Viqentijeviqin se më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, së bashku me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar, vendosën rreth 20 kilogramë lëndë shpërthyese për përdorim ushtarak (TNT) brenda kanalit Ibër-Lepenc, “përmes një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni, të vendosur në mënyrë të tillë që të shkaktonte dëmtime serioze në infrastrukturën kritike për furnizimin me ujë dhe energji elektrike”.
Vlera e dëmit të shkaktuar nga shpërthimi vlerësohet të jetë rreth 400.000 euro.
Sipas aktakuzës, gjatë bastisjeve të kryera nga Policia e Kosovës në shtëpitë e tyre – njëra në Zubin Potok dhe tjetra në fshatin Prevlak të po së njëjtës komunë – është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme armësh luftarake.
Në aktakuzë thuhet gjithashtu se Jovan Viqentijeviq, në cilësinë e anëtarit të rekrutuar të Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake të Serbisë, “ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim duke mbledhur informacione dhe dokumente konfidenciale, me qëllim që t’i përdorte në kuadër të veprimtarive të tij të kundërligjshme në territorin e Kosovës dhe t’ia dorëzonte këtij shërbimi gjatë takimeve në Serbi”.
Në shtëpinë e të akuzuarit të tretë, Igor Dimoviq, pas sulmit janë gjetur tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa uniforma ushtarake, të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës. /Radio Evropa e Lirë