Sulm me mjet të fortë në Pejë, arratiset i dyshuari
Një person po kërkohet nga organet e rendit në Pejë, pasi dyshohet të ketë sulmuar me mjet të rëndë një person tjetër.
Lajmin për Zeri.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 12:26 nga Emergjenca e Spitalit, ku po trajtohej viktima.
“Rreth orës 12:26 Policia është njoftuar nga Emergjenca e Spitalit se janë duke trajtuar një person të lënduar. Dyshimet fillestare ishin që viktima u lëndua nga arma, por sulmi dyshohet të jetë bërë me një mjet të fortë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke e trajtuar rastin. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor dhe më pas do të japë deklaratë mbi rastin”, ka thënë Gashi.
Po ashtu Gashi ka bërë të ditur se Policia është duke punuar për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim. /Zëri