Dy persona theren me thikë në qendër të Ferizajt, i dyshuari në arrati

Dy persona theren me thikë në qendër të Ferizajt, i dyshuari në arrati

Kronika July 10, 2026 - 10:33

Dy persona janë lënduar, pasi dyshohet se janë sulmuar me mjet të mprehtë (thikë) mëngjesin e së premtes në qendër të Ferizajt, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 07:50 në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, pranë Postës Qendrore.

“Sot, rreth orës 07:50, kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj, ka ndodhur një incident, ku një person dyshohet se ka sulmuar dy persona me mjet të mprehtë (thikë), të cilët janë transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt, pasi kanë marrë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, tha Veseli.

Sipas tij, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar veprime intensive hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit. /Zëri