“13 vjet jam përndjekur nga EULEX-i”, Sami Lushtaku kërkon të shpallet i pafajshëm
Ka përfunduar gjykimi i Sami Lushtakut dhe të tjerëve për frikësim të dëshmitarëve në rastin “Drenica 1”. Prokuroria kërkoi dënimin e tyre, kurse mbrojtja lirimin. Të akuzuarit aktakuzën e ngritur që nga koha e EULEX-it, e quajtën përndjekje.
Andaj edhe u paraqitën të përgatitur për ta përfunduar gjykimin disa-vjeçar për frikësim të dëshmitarëve në rastin “Drenica 1”.
Për tetë të akuzuarit, Sami Lushtaku, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Ismet Haxhaj, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, prokuroria kërkoi dënimin e tyre.
“Këta dëshmitarë u kontaktuan nga këta të akuzuar, duke iu premtuar shuma të ndryshme të parave, banesë në Fushë Kosovë dhe shërimin e bashkëshortes së tij, meqë ajo vuante nga një sëmundje dhe kishte nevojë për kontrolle jashtë vendit. Këta kontaktuan me këtë dëshmitar, e morën përsipër që t’ia shërojnë bashkëshorten, e morën përsipër ia siguruan një banesë në Fushë Kosovë, si dhe i premtuan truproje, pagë mujore në vlerë 500 euro”, deklaroi prokurorja, Florije Salihu Shamolli.Krejt ndryshe pretendojnë të akuzuarit.
Sami Lushtaku, si i akuzuari kryesor, thotë se dëshmitarët në bazë të së cilëve është ngritur kjo aktakuzë nuk kanë qenë dëshmitarë që lidheshin me të në rastin “Drenica 1”.
“As dëshmitari F as C nuk kanë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë ndaj meje. Një pjesë të këtyre të akuzuarve unë nuk i kam njohur asnjëherë. Prandaj, për mua është e rëndësishme që unë e ndiej veten të pafajshëm dhe e ndiej veten që 13 vite i penalizuar dhe i përndjekur nga gjykatat e EULEX-it”, theksoi Lushtaku.
Akuzat ndaj Lushtakut, edhe mbrojtja i quajti të pabazuara. Kështu deklaroi avokati Artan Qerkini.
“Si ka mundësi që një person i cili është në paraburgim të rreptë, të organizojë grup të strukturuar kriminal sipas prokurorisë? Ne e dijmë se paraburgimi është caktuar për të penguar potencialisht të pandehurit që të ndikojnë në dëshmitarë. Vazhdimisht është caktu dhe është vazhdu për këtë arsye, kurse tash po pretendohet se nga paraburgimi paska ndiku në dëshmitarë”, tha Artan Qerkini.I akuzuari tjetër, Rrustem Rukolli, potencoi se në fakt dëshmitari e kishte kontaktuar vet atë disa vite më vonë, për çështje biznesore.
“Ai vet më ka kontaktuar gjatë 2020 disa herë për të bërë biznes, në fillim ai i mohoi këto gjatë shqyrtimit gjyqësor, por kur e ballafaqova me mesazhe të tij, atëherë e pranoi”, tha Rukolli.
Pwr Rokullin foli edhe avokati i tij, Arianit Koci.
“Për Rrustem Rukollin duhet të marrim përgjigje në katër pyetje. A e ka kërcënuar Nazmi Malokun? Jo. A i ka dhënë pare që të ndryshojë dëshminë? Jo. A i ka kërkuar të dëshmojë rrejshëm? Jo. A është marrë vesh me persona të tjerë për t’i kryer këto veprime? Jo”, theksoi Koci.
Nga të akuzuarit, fjalën e mori edhe Sheremet Jashari.
“Nuk ka kurfarë fakti se kom nejt me germën F dhe germën C. Ose që m’ka shti dikush i grupit të Drenicës, m’i dhanë pare germës F. Masi paska pare m’i dhanë, s’ja kisha qu atij po i kisha majt për veti krejt. Se ma shumë kam lazëm unë se sa Samia e germa F”, theksoi Sheremet Jashari.
Mbrojtja e të akuzuarve të tjerë, po ashtu kritikuan procesin e stërzgjatur dhe përmbajtjen e aktakuzës, e cila sipas tyre është e pabazuar.Aktakuza e prokurorisë të pandehurit i ngarkon me veprat penale “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare” dhe “Frikësim gjatë procedurës zyrtare”, të cilat pretendohet se janë kryer nga qershori i 2013-tës deri në shtator të 2015-s, duke i detyruar dy dëshmitarë që t’i ndryshojnë dëshmitë e tyre në rastin “Drenica”.
Shpallja e vendimit të Gjykatës, do të bëhet javën e ardhshme./teve1