Në Vërmicë zbulohet mall i padeklaruar me vlerë rreth 15 mijë euro
Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një kontrolli rutinë ka ndaluar një automjet që po hynte në territorin e Kosovës.
Në këtë automjet janë zbuluar disa thasë të mbushur me mallra të natyrës komerciale, vlera e të cilëve vlerësohet të jetë rreth 15 mijë euro, raporton Zeri.info.
“Gjatë intervistimit nga zyrtari doganor, drejtuesi i automjetit është pyetur nëse posedonte mallra ose mjete monetare për t'i deklaruar pranë autoriteteve doganore, mirëpo ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të paraqitur.
Në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, mallrat janë ndaluar përkohësisht në pikën e kalimit kufitar Vërmicë, ndërsa ndaj rastit janë iniciuar procedurat administrative përkatëse, me qëllim të përcaktimit të përgjegjësisë dhe ndërmarrjes së masave të parapara me ligj”, thuhet në njoftim. /Zëri