Dogana e Kosovës ndalon në Han të Elezit produkte të padeklaruara, që paraqesin rrezik për shëndetin

Dogana e Kosovës ndalon në Han të Elezit produkte të padeklaruara, që paraqesin rrezik për shëndetin

Kronika July 27, 2026 - 12:49

Dogana e Kosovës ka ndaluar një tentativë për importimin e produkteve të padeklaruara, të cilat sipas autoriteteve paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve.

Sipas njoftimit, rasti është zbuluar në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit, ku gjatë kontrolleve rutinore zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore, i drejtuar nga një shtetas turk. Gjatë intervistimit, drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte mallra për t’i deklaruar. Megjithatë, pas një kontrolli të detajuar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar mallra të padeklaruara.

Në automjet janë gjetur 10 copë të produktit Elasty G PLUS, i përdorur për kujdes ndaj lëkurës, si dhe 20 copë të produktit Masport 500.

Dogana ka bërë të ditur se mallrat janë ndaluar, ndërsa ndaj rastit janë ndërmarrë procedurat e parapara me legjislacionin në fuqi.

Në njoftim theksohet se Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve, duke parandaluar hyrjen në treg të produkteve të padeklaruara dhe të pakontrolluara, si dhe duke luftuar tregtinë e paligjshme.