Policia e gjobit me 400 euro mërgimtarin që voziti në trotuar

Policia e gjobit me 400 euro mërgimtarin që voziti në trotuar

Kronika July 28, 2026 - 09:55

Policia e Kosovës ka identifikuar dhe gjobitur shoferin që u filmua duke kryer kundërvajtje të rënda në komunikacion në rrugën “Besnik Lajqi” në Pejë.

Sipas njoftimit të Policisë, më 25 korrik 2026 një portal publikoi në Facebook një videoincizim, ku shihej një veturë e tipit Mercedes, me targa të Gjermanisë, duke tejkaluar kolonën e automjeteve nga krahu i djathtë dhe më pas duke lëvizur mbi trotuar, para se të rikthehej në korsinë e rrugës, transmeton Zeri.info.

Pas publikimit të videos, njësia e trafikut për qytetin e Pejës arriti ta identifikojë drejtuesin e automjetit dhe ndaj tij u shqiptua gjobë për kundërvajtjet e kryera në vlerë prej 400 eurosh.

Policia bëri të ditur se, me pëlqimin e shoferit, vlera e gjobës është dyfishuar. Sipas Ligjit nr. 08/L-186 për Rregullat e Komunikacionit Rrugor, drejtuesit që posedojnë patentë shoferi të lëshuar nga një shtet i huaj mund të zgjedhin dyfishimin e gjobës monetare në vend të masës së ndalimit të drejtimit të automjetit për tre muaj. /Zëri