Lista Serbe, kundër arrestimit të të dyshuarve për krime lufte në Zubin Potok
Lista Serbe ka reaguar pas arrestimit të pesë serbëve në Zubin Potok, duke i cilësuar veprimet e autoriteteve të Kosovës si të pabazuara dhe pjesë të, siç e quajti, “presionit të vazhdueshëm ndaj popullit serb”.
Në një deklaratë, Lista Serbe tha se pas rrënimit të objekteve në zonën e liqenit të Ujmanit, pesë serbë u arrestuan nga policia e Kosovës, ndërsa dy prej tyre u ndaluan nën dyshimin për krime lufte.
“Dy prej tyre u mbajtën në paraburgim me akuza për krime të dyshuara lufte, ndërsa atyre u është ofruar menjëherë ndihmë ligjore për t’u mbrojtur nga këto akuza të pabaza”, thuhet në reagim.
Lista Serbe pretendon se akuzat për krime lufte po përdoren si mjet për frikësimin e serbëve dhe jo për vendosjen e drejtësisë.
“Drejtësia nuk mund të vendoset duke mbajtur në paraburgim njerëz të pafajshëm dhe duke detyruar familjet serbe të largohen nga Kosova”, thuhet më tej në deklaratë.
Po ashtu, kjo parti akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti se, sipas saj, po vazhdon “obsesionin me veriun”, duke pretenduar se institucionet e Kosovës po përdoren për të ushtruar presion mbi popullsinë serbe.
Lista Serbe u bëri thirrje edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë që të përfshihen më aktivisht në procedurat që zhvillohen ndaj serbëve, duke pretenduar se numri i arrestimeve për krime lufte kohët e fundit është i paprecedentë.
Ndërkohë, dy serbët e arrestuar, me inicialet M.J. dhe M.B., dyshohen për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile shqiptare gjatë luftës të vitit 1999. Ata janë ndaluar për 48 orë.
Avokati i tyre, Millosh Deleviq, ka bërë të ditur se Prokuroria tashmë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë reagoi për rastin, duke e cilësuar arrestimin e pesë serbëve në Zubin Potok si një tjetër akt represiv ndaj popullsisë serbe në atë komunë. /Zëri