Paraburgoset danezi i rrezikshëm që u ekstradua të hënën nga Kosova në Kopenhagë

Paraburgoset danezi i rrezikshëm që u ekstradua të hënën nga Kosova në Kopenhagë

Kronika July 28, 2026 - 19:07

Një shtetas danez 27-vjeçar, i akuzuar për përfshirje në dy raste vrasjesh në mjediset e bandave kriminale, i cili u ekstradua të hënën (27 korrik) nga Kosova në Danimarkë, është lënë të martën në paraburgim deri më 25 gusht, pasi u paraqit në seancën fillestare gjyqësore në Gjykatën e Frederiksbergut.

Këtë e bëri të ditur për “Ritzau” prokurori i Policisë së qarkut të Zelandës Qendrore dhe Perëndimore, John Catre Nielsen, raporton media daneze “berlingske“.

Sipas tij, baza për caktimin e paraburgimit është dyshimi i bazuar se ai qëndron pas veprave penale për të cilat akuzohet.

Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndaj prokurori ka mundësi të kufizuara për të dhënë detaje nga procesi gjyqësor.

Ai nuk ka sqaruar arsyet pse seanca u mbajt me dyer të mbyllura.

Sipas “TV 2 Ost”, bëhet fjalë për një anëtar të rangut të lartë të bandës së ndaluar “Loyal to Familia (LTF)”.

Prokurori nuk ka pranuar dhe as mohuar këtë informacion.

27-vjeçari i ka mohuar akuzat.

Ai akuzohet për një vrasje të ndodhur në prill të vitit 2020, kur një 22-vjeçar u qëllua për vdekje në Aflojen të Bronshojit, si dhe për një tentim vrasjeje në Gadelandet të Bronshojit, disa ditë më herët.

Sipas Policisë së Kopenhagës, shtatë persona janë dënuar tashmë me dënime të gjata me burg në lidhje me këtë rast.

Përveç kësaj, ai akuzohet edhe për dy vrasje dhe një tentim vrasjeje në Kalundborg në nëntor të vitit 2020. Në atë sulm humbën jetën një 21-vjeçar dhe një 24-vjeçar, ndërsa një person i tretë mbeti i plagosur rëndë nga të shtënat.

Më herët, gjashtë persona janë dënuar me burgim të përjetshëm për rolin e tyre në këtë rast, ndërsa dy të tjerë u shpallën fajtorë nga gjykata e shkallës së parë, por më pas u liruan nga akuzat në gjykatën e apelit.

27-vjeçari iu ekstradua Danimarkës të hënën, pasi ishte arrestuar në Kosovë në muajin mars. Ai kishte qenë prej disa vitesh në kërkim ndërkombëtar, transmeton Klankosova.tv.

“Ekstradimi është rezultat i bashkëpunimit të mirë ndërkombëtar ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Danimarkës. Ky rast tregon se policia daneze do të bëjë gjithçka për të arrestuar personat e dyshuar për krime të rënda, edhe nëse ata arratisen jashtë vendit”, thuhet në një deklaratë të zëvendësinspektorit të policisë së Kopenhagës, Knud Hvass.

Në njoftim thuhet gjithashtu se ekstradimi u realizua pas bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet autoriteteve të Kosovës, Njësisë Kombëtare për Kriminalitet të Veçantë (NSK), Policisë së Zelandës Qendrore dhe Perëndimore, si dhe Policisë së Kopenhagës.

Policia e Kosovës, ndërkaq, në njoftimin e djeshëm për media, tha se ekstradimi është realizuar përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.

“I dyshuari ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë daneze, për veprat penale ‘Vrasje’, ‘Mbajtja e armëve të zjarrit në rrethana veçanërisht rënduese’ dhe ‘Zjarrvënie’”, u tha në njoftim.

Policia theksoi se ekstradimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Danimarkës.