Pejë, mbi 24 vjet burgim për gjashtë të përfshirë në aksidente me fatalitet gjatë viteve 2025-2026
Foto: Laura Hasani

Pejë, mbi 24 vjet burgim për gjashtë të përfshirë në aksidente me fatalitet gjatë viteve 2025-2026

Kronika July 30, 2026 - 10:32

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar gjashtë persona për shkelje të rregullave të trafikut, që kanë shkaktuar pasojë tragjike.

Gjatë periudhës 2025-2026 kjo gjykatë ka shpallur pesë aktgjykime dënuese për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” për raste që kanë përfunduar me fatalitet, me një total prej mbi 24 vjetësh burgim të shqiptuar.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Klankosova përmes kërkesës për qasje në dokumente publike në PTH të Pejës, nga këto pesë procese gjyqësore janë dënuar gjithsej gjashtë persona.

Dënimi më i rëndë i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë gjatë kësaj periudhe ishte ai i datës 29 prill 2025. Në rastin e regjistruar me numër P. nr. 1069/23, trupi gjykues vendosi për një dënim prej 6 vitesh burgim, i cili njëkohësisht shënon edhe masën më të lartë ndëshkuese të marrë për aksidentet me pasojë vdekjen gjatë kësaj periudhe.

Ndërkaq, një tjetër vendim me peshë të madhe juridike u mor më 4 nëntor 2025 në rastin PKR. nr. 22/25, ku ndryshe nga rastet e tjera, u dënuan dy persona. Për të pandehurin e parë, gjykata shqiptoi një dënim unik prej 5 vitesh e 6 muajsh burgim, ndërsa i pandehuri i dytë u dënua me 10 muaj burgim. Po me të njëjtën masë prej 5 vitesh e 6 muajsh burgim u dënua edhe i pandehuri në rastin P. nr. 851/25, për të cilin aktgjykimi u shpall më 12 shtator 2025.

Pjesa tjetër e rasteve të gjykuara mori dënime prej dy deri në katër vjet. Më konkretisht, më 1 korrik 2025, në kuadër të lëndës P. nr. 626/25, gjykata shqiptoi një dënim prej 4 vitesh burgim. Ndërsa vendimi i fundit i kësaj serie u mor më 3 dhjetor 2025 për rastin P. nr. 1170/25, ku personi i përfshirë u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim.

Këto statistika janë bërë publike nga Gjykata Themelore në Pejë pas kërkesës zyrtare të ekipit të Klan Kosovës për të analizuar bilancin e drejtësisë lidhur me aksidentet me pasojë vdekjen gjatë dy vjetëve të fundit.