Dy persona gjobiten me nga 500 euro për djegien e hamulloreve në Klinë
Dy persona janë gjobitur me nga 500 euro, pasi ia kanë vënë zjarrin hamulloreve në dy raste të ndara në komunën e Klinës.
Policia e Kosovës njoftoi se rasti i parë është raportuar më 30 korrik rreth orës 11:00, në fshatin Caravik. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku pronari i tokës ka pranuar se kishte djegur hamulloret pas korrjes së grurit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është evidentuar me shënim zyrtar, ndërsa ndaj kundërvajtësit është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, sipas legjislacionit në fuqi.
Rasti i dytë është regjistruar po atë ditë, rreth orës 15:25, në fshatin Dollc. Policia ka konstatuar se ishin përfshirë nga zjarri hamullore në një sipërfaqe prej rreth 2 deri në 3 hektarësh, ndërsa në vendngjarje janë hasur edhe tre traktorë duke punuar tokën.
Sipas Policisë, një qytetar nga fshati Gllarevë ka pranuar se është pronar i parcelës dhe se kishte ndezur zjarrin për pastrimin e pronës së tij. Edhe në këtë rast, me udhëzim të Prokurorisë, lënda është evidentuar me shënim zyrtar, ndërsa pronari është gjobitur me 500 euro.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjithë personave që, me veprimet e tyre të qëllimshme apo nga pakujdesia, rrezikojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.
Njëkohësisht, autoritetet kanë apeluar te qytetarët e rajonit të Pejës që të tregojnë kujdes maksimal gjatë çdo aktiviteti që mund të shkaktojë zjarre, duke përfshirë ndezjen e zjarreve në natyrë, përdorimin e shkrepëseve, cigareve apo grilave. /Zëri