Kërkohet paraburgim për katër të dyshuarit për rrahjen në Ferizaj

Kërkohet paraburgim për katër të dyshuarit për rrahjen në Ferizaj

Kronika August 12, 2026 - 14:05

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve, të dyshuar për veprat penale “Vrasja në tentativë”, “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Pjesëmarrja në rrahje”.

Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për të pandehurit me inicialet O.A., D.A., A.A. dhe A.N., të cilët dyshohet se janë përfshirë në një përleshje më 10 gusht 2026, rreth orës 00:15, në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të kafeneve “Dritare” dhe “0290”.

Prokuroria pretendon se i pandehuri O.A., pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme mes pronarëve të kafeneve, fillimisht ka ofenduar të dëmtuarin Sh.A., ndërsa më pas ka nisur përleshja.

Sipas dyshimit të bazuar të Prokurorisë, O.A. e ka goditur Sh.A. tri herë në pjesën e qafës me një kaçavidë, duke e detyruar atë të kërkojë ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas në QKUK në Prishtinë.

Po ashtu, O.A. dyshohet se ka sulmuar edhe të dëmtuarin A.N., duke e goditur me kaçavidë në krahun e majtë dhe në pjesën e majtë të kokës. Edhe A.N. ka kërkuar trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

Ndërkaq, për të pandehurit D.A., A.A. dhe A.N., Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar se kanë marrë pjesë në rrahje, e cila ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor të Sh.A.

Të katër të pandehurit, që nga 11 gushti, me vendim të prokurorit të Shtetit, ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh.

Prokuroria ka bërë kërkesën për paraburgim në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndërsa vendimi për masën e sigurisë pritet të merret nga gjykata. /Zëri