Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit në Ferizaj, tentuan ta vrasin një person pas një konflikti në Zvicër
Foto: Laura Hasani

Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit në Ferizaj, tentuan ta vrasin një person pas një konflikti në Zvicër

Kronika August 14, 2026 - 16:07

Gjykata Themelore në Ferizaj, përmes njoftimit ka bërë të ditur se ka caktuar masën e paraburgimit nga një muaj kundër të pandehurve D.A. dhe A.A., për kryerjen e veprës penale vrasja në tentative.

Sipas Gjykatës, thuhet se të pandehurit D.A. dhe A.A., me dashje dhe në bashkëveprim së bashku me një të mitur kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin A.Sh, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në Zvicër.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Fitore Daci Krivanjeva, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se me datë 13 gusht 2026, rreth orës 06:10, në një rrugë në Ferizaj, të pandehurit D.A. dhe A.A., me dashje dhe në bashkëveprim së bashku me një të mitur kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin A.Sh., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme ndërmjet të pandehurit A.A. dhe të dëmtuarit A.Sh., e cila kishte ndodhur rreth një viti më parë në Zvicër, me t`u takuar ditën kritike fillimisht e përcjellin me veturë, posa i dëmtuari futet në market dalin nga vetura, ku i pandehuri D.A., nxjerr nga gjepi një mjet të mprehtë – thikë dhe e godet njëherë në pjesën e majtë të abdomenit, ndërsa i pandehur A.A., e godet të dëmtuarin me grusht dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, kurse i mituri me një mjet të rrezikshëm – shkop druri e godet të njëjtin në pjesë të ndryshme të trupit, për çka i dëmtuari detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj e më pas edhe në QKUK në Prishtinë”, thuhet në njoftim.