Serbia arreston edhe një shtetas të Kosovës

Serbia arreston edhe një shtetas të Kosovës

Kronika August 13, 2026 - 10:44

Avokati Arianit Koci ka njoftuar se një shtetas i Kosovës është ndaluar nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit Serbi-Kroaci.

Sipas Kocit, bëhet fjalë për Dugagjin Maxhunin, nga Beci i Gjakovës, i lindur më 10 maj 1979, transmeton Zeri.info.

Koci ka bërë të ditur se Maxhuni fillimisht është ndaluar për verifikim, ndërsa pas disa orësh familja e tij është njoftuar se ai është transferuar në Beograd dhe se procedurat ndaj tij po vazhdojnë.

“Për momentin ende nuk janë të qarta rrethanat dhe baza juridike e ndalimit. Jam duke i verifikuar informacionet dhe duke e përcjellë rastin”, ka shkruar Koci.

Avokati ka shprehur shqetësimin për arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe.

“Ndërkohë që politika jonë merret me fajësime e përplasje të pafundme, Serbia po vazhdon me arrestimin e qytetarëve tanë. E dikush duhet me u kujdesë edhe për qytetarin e Kosovës”, ka deklaruar Koci.

Ai ka paralajmëruar se do të njoftojë për çdo zhvillim të ri lidhur me rastin. /Zëri