Aktakuzë ndaj tre personave në Prizren për kontrabandimin e dhjetë emigrantëve egjiptianë

Aktakuzë ndaj tre personave në Prizren për kontrabandimin e dhjetë emigrantëve egjiptianë

Kronika August 20, 2026 - 10:53

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi nën dyshimin për kontrabandë me migrantë.

Sipas aktakuzës, më 23 shtator 2025, në afërsi të vendkalimit kufitar të Vërmicës, konkretisht tek ura e fshatit Shkozë, S.D. ka organizuar dhe drejtuar veprimet për kontrabandimin e dhjetë migrantëve, të gjithë shtetas të Egjiptit, të cilët kishin kaluar në mënyrë të kundërligjshme kufirin Kosovë – Shqipëri, transmeton Zeri.info.

Po ashtu, i njëjti kishte marrë një automjet me qira dhe ia kishte dorëzuar dy personave të tjerë me inicialet B.D. dhe A.F., me qëllim që këta të fundit të kryenin transportimin e migrantëve nga zona e Vërmicës në drejtim të pikës kufitare Kosovë - Serbi.

“Për realizimin e këtij qëllimi, të pandehurit ishin nisur në drejtim të zonës kufitare, ndërsa S.D. kishte komunikuar me B.D. dhe e kishte udhëzuar lidhur me vendin dhe kohën e pritjes së migrantëve.

Rreth orës 01:50 min., B.D. dhe A.F. kishin ndaluar me automjet në shiritin emergjent të autostradës, në afërsi të urës së fshatit Shkozë, ku kishin pritur migrantët. Në momentin e afrimit të zyrtarëve policorë, në afërsi të automjetit janë vërejtur dhjetë persona të shtrirë në tokë, të cilët kishin kaluar ilegalisht kufirin dhe ishin duke pritur për t’u transportuar më tej”, thuhet në aktakuzë.

Ndër të tjera, bëhet e ditur se dhjetë migrantët kishin paguar rreth 25 mijë euro për të realizuar rrugëtimin nga vendi i origjinës deri në Serbi.

“Veprimet e dyshuara janë ndërprerë nga zyrtarët policorë, me ç’rast B.D. dhe A.F. janë ndaluar, ndërsa S.D. është larguar nga vendi i ngjarjes, pasi kishte vërejtur ndërhyrjen e policisë.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur, për veprën penale për të cilën akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet ndër të tjera. /Zëri