“Gelato” nga Kanadaja drejt Shqipërisë: Si u kapën 3 kosovarë me 80 kg kanabis në Durrës?

“Gelato” nga Kanadaja drejt Shqipërisë: Si u kapën 3 kosovarë me 80 kg kanabis në Durrës?

Kronika August 22, 2026 - 21:38

Një operacion policor i koduar “Anchor”, i zhvilluar nga strukturat e Policisë së Durrësit në bashkëpunim me Prokurorinë, autoritetet doganore dhe strukturat e Kufirit dhe Migracionit, ka çuar në goditjen e një rasti të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të kanabisit nga Kanadaja drejt Shqipërisë.

Gjatë operacionit, në Portin e Durrësit u sekuestruan 127 pako me rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC. Sipas Policisë, vlera e lëndës narkotike në treg kap rreth 1 milion euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu tre automjete, pesë aparate celularë dhe rreth 11 mijë euro.

Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike sigurohej në Ontario të Kanadasë dhe transportohej drejt Shqipërisë e fshehur në një hapësirë të modifikuar të një automjeti, i cili ishte porositur për t’u blerë në Kanada. Pas mbërritjes në Shqipëri, droga dyshohet se do të shpërndahej në Shqipëri dhe Kosovë.

Në vijim të veprimeve hetimore, autoritetet arrestuan tre shtetas kosovarë: T. D., 32 vjeç, L. G., 26 vjeç dhe B. J., 40 vjeç. Ata dyshohen për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim H. C., lindur dhe banues në Kukës, si dhe G. O., lindur në Kosovë dhe banues në Ontario të Kanadasë. Edhe këta dyshohen për përfshirje në trafikimin e lëndës narkotike.

Sipas autoriteteve, personat e përfshirë dyshohet se kishin role të përcaktuara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e kanabisit.