Dogana ndalon hyrjen në Kosovë të barnave për dobësim me deklarim të rremë
Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave dhe tentimit për shmangie të procedurave doganore në Zyrën e Doganimit të Brendshëm në Aeroport.
Sipas Doganës, rasti është zbuluar gjatë kontrollit të dokumentacionit, kur një zyrtar doganor ka ngritur dyshime për përshkrimin dhe llojin e mallit të deklaruar si “Polycarboxylate Superplasticizer”.
Pas kontrollit fizik të pakos, është konstatuar se përshkrimi në dokumente nuk përputhej me mallin e gjetur brenda saj.
Në fakt, bëhej fjalë për produkte medicinale të destinuara për dobësim, të cilat, sipas Doganës, nuk janë të aprovuara për qarkullim në treg. Për importimin e tyre kërkohet leje përkatëse nga Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale (AKPPM).
Vlera e mallit, pa përfshirë detyrimet dhe taksat, ishte 1,775.90 euro.
Nga veprimet e ndërmarra është evidentuar se pala kishte tentuar të shmangte kontrollin dhe procedurat doganore përmes ndryshimit të përshkrimit të mallit dhe deklarimit të të dhënave të pasakta, me qëllim të shmangies së detyrimeve dhe lejeve të nevojshme për vendosjen e tij në qarkullim të lirë.
Dogana ka bërë të ditur se për rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa veprimet e palës janë trajtuar si kundërvajtje doganore, në bazë të Kodit Doganor dhe të Akcizave.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e legjislacionit, parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore dhe kontrollin e mallrave që hyjnë në territorin e Kosovës./Zëri