Autobusët përplasen kokë më kokë në Selanik, një e plagosur rëndë
Kronika
September 09, 2026 - 19:44
Një aksident i rëndë ndodhi ditën e sotme në Neapoli të Selanikut, ku dy autobusë u përplasën me njëri-tjetrin dhe, për pasojë, njëri prej tyre u përplas më pas me një stacion aty pranë, duke plagosur katër gra.
Më rëndë nga të gjitha mbeti e plagosur një 21-vjeçare, e cila, sipas mediave greke, do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, shkruan vizionplus.tv.
Mediat raportojnë se 21-vjeçarja ka lëndime si në kokë, ashtu edhe në legen.
Tre gratë e tjera që u plagosën nga përplasja e autobusit me stacionin e autobusit, të moshës 17, 50 dhe 62 vjeç, kanë lëndime të lehta që nuk kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale. Megjithatë, ato do të mbeten të shtruara në spital, në klinikën kirurgjikale, për vëzhgim.