E fshehur brenda mishit të pulës, kapen 41 kg kokainë në Durrës

E fshehur brenda mishit të pulës, kapen 41 kg kokainë në Durrës

Kronika September 14, 2026 - 13:25

Një sasi prej 41 kilogramësh e 350 gramësh kokainë është sekuestruar në Portin e Durrësit, në kuadër të një operacioni kundër trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili drejt Shqipërisë. Droga, me një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth dy milionë eurosh, u gjet në një kontejner që, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule.

Operacioni policor, i koduar “Anchor 3”, u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit.

Kontrollet u kryen në kuadër të hetimeve për një rast të dyshuar të trafikimit të lëndëve narkotike. Shërbimet e Policisë ushtruan kontroll të imtësishëm në një kontejner me origjinë nga Brazili.

Gjatë kontrollit, në kapakët e jashtëm të kontejnerit u konstatuan 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Pas peshimit, sasia totale e lëndës së dyshuar narkotike rezultoi 41 kg e 350 gramë, ndërsa vlera e saj në treg përllogaritet rreth dy milionë euro.

Sipas Policisë, ky është rasti i tretë i tentativës për të futur lëndë narkotike në Shqipëri nëpërmjet Portit të Durrësit, i goditur brenda një muaji.

Ndërkohë, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike, si dhe identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /rtsh