Dogana e Kosovës: Mallrat duhet të paraqiten menjëherë në territorin doganor
Dogana e Kosovës ka njoftuar operatorët ekonomikë dhe personat përgjegjës për transportin e mallrave se mallrat e sjella në territorin doganor të Republikës së Kosovës duhet të paraqiten në Doganë menjëherë pas arritjes së tyre.
Sipas Doganës, paraqitja bëhet në zyrën doganore të caktuar, në një vend tjetër të caktuar ose të miratuar nga Dogana, apo në zonë të lirë.
Mallrat mund të paraqiten nga personi që i sjell ato në territorin doganor të Republikës së Kosovës, nga personi në emër dhe për llogari të të cilit vepron personi që sjell mallrat, si dhe nga personi që merr përgjegjësinë për transportimin e mallrave, pasi ato të jenë sjellë në territorin doganor të Republikës së Kosovës.
Dogana ka theksuar se paraqitja e rregullt dhe në kohë e mallrave është pjesë e detyrimeve doganore dhe kontribuon në zhvillimin e një procesi të sigurt dhe transparent të zhdoganimit.
