Flakët kaplojnë një shtëpi në Vushtrri, zjarrfikësit ende në terren

Flakët kaplojnë një shtëpi në Vushtrri, zjarrfikësit ende në terren

Kronika September 29, 2026 - 19:18

Një shtëpi banimi është përfshirë nga flakët gjatë ditës së sotme në qytetin e Vushtrrisë.

Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendngjarje kanë dalë ekipet e zjarrfikësve për të lokalizuar dhe shuar flakët.

Lajmin e ka konfirmuar për Klankosova.tv komandanti i zjarrfikësve në këtë komunë, Fadil Hyseni, i cili bëri të ditur se ekipet emergjente ndodhen ende në terren duke punuar për shuarjen e plotë të flakëve.

“Rreth orës 18:00 kemi pranuar informatën nga pronari për djegien e një shtëpie këtu në Vushtrri. Çka mundem me konfirmu është që nuk ka të lënduar, ndërsa jemi ende në ndërhyrje për lokalizimin e gjithë zjarrit. Ka vetëm dëme materiale, kurse shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të ditura“, tha Hyseni.

Ekipet e zjarrfikësve po vazhdojnë operacionin në vendin e ngjarjes, teksa rrethanat dhe shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit pritet të zbardhen nga organet kompetente pas sanimit të situatës.

Image