Aktakuzë ndaj nëntë personave për kultivimin e mbi një toni kanabis në Kliqinë dhe Sverkë

Aktakuzë ndaj nëntë personave për kultivimin e mbi një toni kanabis në Kliqinë dhe Sverkë

Kronika September 30, 2026 - 10:24

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave, të dyshuar për kultivimin dhe shpërndarjen e narkotikëve në fshatrat Kliqinë dhe Sverkë të komunës së Pejës.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se gjatë vitit 2024, duke vepruar si grup, kanë kultivuar bimë të kanabis sativës, me qëllim të prodhimit dhe shpërndarjes së narkotikëve.

Në dy parcela, sipas aktakuzës, janë kultivuar gjithsej 2,850 bimë kanabisi, nga të cilat është siguruar narkotik me peshë prej 1.035 kilogramësh e 712 gramësh. Sasia është sekuestruar nga Policia e Kosovës më 27 shtator 2024, gjatë zbatimit të urdhërkontrollit.

Prokuroria thotë se të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprime për mbjelljen, kultivimin, tërheqjen, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike, si dhe për sigurimin e vendeve dhe mjeteve për transportin e tyre.

Në kuadër të hetimeve, njërit prej të pandehurve, sipas aktakuzës, i ishte premtuar 15 mijë euro për angazhimin në kultivimin e narkotikëve.

Ndërkaq, ndaj njërit prej tyre janë gjetur dhe sekuestruar edhe 1.540 euro në kartëmonedha të falsifikuara, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim të futjes në qarkullim.

Përveç veprave penale që lidhen me narkotikët, njëri prej të pandehurve akuzohet edhe për falsifikim të parasë, ndërsa një tjetër për mbajtje të paautorizuar të armëve, pasi gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë “AK-47”, së bashku me municion.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe vepra të tjera penale. /Zëri

Image

Image