Ndalohen tri mjete me dru, në Ferizaj e Shtërpcë
Në orët e hershme të mëngjesit të së premtes Policia në Ferizaj dhe Shtërpcë, në bashkëpunim me Agjencinë e Pylltarisë së Kosovës, kanë ndaluar tri mjete të ngarkuara me dru, gjatë kontrolleve për parandalimin e prerjeve dhe transportit të kundërligjshëm.

Në fshatin Burrnik, rreth orës 04:00, janë hasur dy mjete me dru, një xhip me rimorkio dhe një traktor me rimorkio.
Të dyja mjetet janë shoqëruar në depon e Pylltarisë, ku zyrtarët e APK-së kanë konfiskuar drutë dhe kanë ndërmarrë veprimet procedurale.

Ndërkaq, në fshatin Brod të Shtërpcës është ndaluar edhe një furgon i ngarkuar me dru. Kontrollet janë zhvilluar në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2026”.
“Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar në mbështetjen e institucioneve kompetente për mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurive pyjore, si dhe në parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme.

Policia fton qytetarët që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë në numrin kujdestar 192 ose në platformën digjitale "Lajmëro Policinë”, thotë PK-ja.
