Në Prizren arrestohen dy persona të kërkuar
Dy persona të kërkuar janë arrestuar në Prizren brenda një dite, në dy lokacione të ndryshme, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, më 3 tetor, zyrtarët e Njësitit për Realizimin e Urdhëresave të Stacionit Policor në Prizren pranuan informacione për vendndodhjen e dy personave të kërkuar.
Në bashkëpunim me patrullën në detyrë, policia realizoi arrestimin e tyre. Njëri prej të arrestuarve ishte i dënuar me 35 ditë burg, ndërsa tjetri me 1 vit e 4 muaj burgim efektiv.
Të dy personat, L.K. dhe S.K., meshkuj nga Prizreni, ishin në kërkim policor në bazë të vendimeve të plotfuqishme të Gjykatës Themelore në Prizren.
Pas arrestimit, ata fillimisht janë dërguar në Stacionin Policor në Prizren dhe më pas në institucionin korrektues për vuajtjen e dënimit.