Mashtrime me kredi bujqësore, aktakuzë ndaj një personi në Vushtrri
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj F.A., i dyshuar për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, në lidhje me veprën penale të mashtrimit.
Aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas Prokurorisë Speciale, F.A. dyshohet se gjatë periudhës nga shtatori i vitit 2012 deri në qershor të vitit 2013, në Vushtrri, ka vepruar si anëtar i një grupi kriminal të organizuar, i cili kishte për qëllim përfitimin e kundërligjshëm të dobisë pasurore përmes realizimit të kredive bujqësore në një institucion bankar, transmeton Zeri.info,.
Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se ka pasur rol aktiv në sigurimin e kredimarrësve, vënien e tyre në lajthim, realizimin e kredive dhe pranimin e mjeteve të përfituara nga kreditë e marra në emër të personave të tjerë.
Në disa raste, sipas Prokurorisë, F.A. dyshohet se ka marrë drejtpërdrejt mjetet e kredive, ndërsa në raste të tjera ka përfituar pjesë të shumave të realizuara.
Në kuadër të kësaj veprimtarie, sipas aktakuzës, janë realizuar një numër kredish bujqësore në emër të personave të ndryshëm, në shuma nga 5.100 deri në 10.000 euro.
Prokuroria Speciale pretendon se përmes këtyre veprimeve institucionit bankar i është shkaktuar dëm i përgjithshëm prej 613.557.49 eurosh.
I pandehuri gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. /Zëri