Policia gjen në Vushtrri automjetin e vjedhur në Prizren, ia kthen pronarit

Policia gjen në Vushtrri automjetin e vjedhur në Prizren, ia kthen pronarit

Kronika October 12, 2026 - 17:57

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka gjetur dhe ia ka kthyer pronarit një automjet që ishte vjedhur në prill të këtij viti në fshatin Zhur të Prizrenit.

Sipas Policisë, më 14 prill 2026, një qytetar nga Zhuri kishte raportuar se automjeti i vëllait të tij, i tipit Mitsubishi Transporter, me ngjyrë hiri dhe targa vendore, ishte vjedhur nga oborri i shtëpisë.

Pas disa muajsh hetime dhe patrullimesh në terren, automjeti është gjetur më 10 tetor nga një patrullë policore e Vushtrrisë, në një zonë të thellë malore të fshatit Oshlan.

“Pas hetimeve të gjata dhe patrullimeve në terren, me datën 10.10.2026, një patrullë policore e qytetit të Vushtrrisë ka gjetur automjetin e vjedhur në një zonë të thellë malore të fshatit Oshlan, Vushtrri. Automjetit të vjedhur i ishin ndërruar edhe targat”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, automjeti i është kthyer pronarit, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për identifikimin e personave të përfshirë në rast.

Policia ka theksuar se ky rast dëshmon përkushtimin e saj në mbrojtjen e pronës së qytetarëve dhe rikthimin e besimit të publikut në institucionet e sigurisë.