Kryeprokurori i Prizrenit jep detaje për personin që u gjet pa shenja jete

Kryeprokurori i Prizrenit jep detaje për personin që u gjet pa shenja jete

Kronika October 15, 2026 - 23:34

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka bërë të ditur se janë siguruar prova materiale dhe video-incizime lidhur me rastin e vdekjes që është raportuar në media si therje.

Kryeziu ka sqaruar për Klankosova.tv se në pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes, viktima shihet duke rënë në tokë i vetëm, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit.

“Lidhur me raportimet në media se rasti ka të bëjë me therje, sqarojmë se Prokuroria ka siguruar prova materiale nga vendi i ngjarjes, përfshirë edhe video-incizime, në të cilat viktima shihet duke rënë në tokë i vetëm”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ndodhen njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, ekipet e forenzikës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe prokurori kujdestar.

Sipas kryeprokurorit, institucionet përkatëse janë duke ndërmarrë veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

“Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe shkakun e vdekjes”, ka theksuar Kryeziu.