“A duhet t’më vrasë mua Jetoni që ju ta arrestoni?” - deklarimi i Arlinda Zekajt në Polici pak para vrasjes
Arlinda Zekaj, gruaja që dyshohet se u vra nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës më 25.10.2026, disa orë para vrasjes së saj, kishte paraqitur një rast të dhunës në familje në Stacionin Policor në Pejë.
Arlinda Zekaj në ditën kur u vra e kishte denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje.
KALLXO.com ka siguruar deklarimin e të ndjerës në Stacion Policor në Pejë.
Zekaj në Polici kishte deklaruar se si ishte kërcënuar me jetë nga bashkëshorti i saj Jeton Syla.
“Unë, me të dhënat e mia më lart, pasi m’u kanë lexuar të drejtat e mia të përcaktuara me ligj, dua të deklaroj: Se më datë 25/10/2026, diku rreth orës 17:58, pasi unë kam dalë nga banjo dhe e kam pritur lavatriçen që t’i përfundojë rrobat e anëtarëve të Jetonit dhe pasi përfundoi lavatriçja, unë i kam futur rrobat e mia që të pastrohen. E kam lëshuar lavatriçen dhe shkova në kuzhinë për të ngrënë bukë”, kishte thënë e ndjera.
E ndjera tutje kishte deklaruar se në atë moment bashkëshorti i saj kishte filluar të bërtiste dhe ta kërcënonte me fjalët: “Unë të thyej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time? Ti nuk guxon më kështu të veprosh, kush je ti?”.
Viktima po ashtu kishte thënë se bashkëshorti i saj ia kishte marrë rrobat dhe i kishte hedhur në oborrin e shtëpisë.
Nga këto kërcënime ajo ishte ndier e frikësuar dhe e kishte njoftuar menjëherë Policinë.
E ndjera në deklarimin e saj në Polici kishte shprehur pakënaqësi edhe për organet e rendit, për mosndërmarrjen e veprimeve nga ana e tyre.
“Po, dua ta pyes Policinë: 'A duhet të më vrasë mua Jetoni që ju, Policia, atëherë ta arrestoni shizofrenin?'", kishte deklaruar në Polici viktima në ditën që u vra.
E pyetur se nga zyrtarët policorë se nëse dëshiron të shkon në strehimore pas dhënies së deklaratës, viktima kishte thënë së nuk dëshiron të largohet nga shtëpia e saj.
“Jo, unë nuk pranoj të shkoj në strehimore. Unë dua të shkoj në shtëpinë time”, kishte thënë e ndjera.
Ndonëse viktima kishte thënë se dëshiron të shkon në shtëpi ku të pranishëm ishin edhe familjarët e bashkëshortit të saj, ajo kishte thënë se nuk ndihet mjaftueshëm e sigurt, por që nuk heq dorë nga djali i saj dhe pasuria e saj.
“Nuk e ndiej veten të sigurt sa duhet, por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime. Shteti ka pasur obligim dhe ka për t’i larguar uzurpatorët nga shtëpia ime”, kishte deklaruar e ndjera.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU.

