Arrestohen dy të mitur në Skenderaj, dyshohet se lënduan dy policë
Foto: Laura Hasani

Arrestohen dy të mitur në Skenderaj, dyshohet se lënduan dy policë

Kronika October 26, 2026 - 18:03

Policia e Kosovës ka arrestuar dy të mitur në Skenderaj, të dyshuar për përfshirje në një incident, ku dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime.

Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi është bërë sot, pas hetimeve të zhvilluara nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Mitrovicën e Jugut.

“Arrestimi i dy të dyshuarve të mitur është bërë mbi bazën e dyshimeve dhe provave të siguruara se më 24 tetor 2026, në Skenderaj, ata, në cilësinë e drejtuesit dhe pasagjerit, fillimisht kishin marrë një veturë në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë, të dyshuarit janë vërejtur nga njësitet policore pasi drejtuesi i veturës po voziste në mënyrë të rrezikshme.

Gjatë përpjekjes për ta ndaluar, drejtuesi i veturës ka goditur automjetin zyrtar të Policisë, duke e nxjerrë nga rruga dhe duke shkaktuar përplasjen e tij me një shtyllë elektrike.

“Si pasojë e këtij incidenti, dy zyrtarë policorë të cilët ndodheshin në veturën zyrtare, kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësor”, ka njoftuar Policia.

Vetura e të dyshuarve është gjetur e aksidentuar dhe e braktisur në njërin nga fshatrat e Skenderajt.

Dy të miturit janë intervistuar sipas procedurave ligjore dhe, me vendim të prokurorit kompetent, janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndaj të dyshuarit që drejtonte veturën janë iniciuar raste për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Marrje në posedim të pasurisë së luajtshme”.