Aksion kundër parregullsive në shitjet online, kryhen 23 inspektime
Disa institucione të Kosovës kanë zhvilluar një aksion gjatë së hënës, kundër parregullsive në shitjet online.
Ky aksion është zhvilluar nën koordinimin e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Sipas njoftimit, aksioni është përqendruar në inspektimin e produkteve që janë në proces të transportimit drejt konsumatorëve përmes shërbimeve postare, me fokus të veçantë në verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së bizneseve që ushtrojnë shitjen online.
“Gjatë inspektimeve po verifikohet nëse bizneset janë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), nëse për produktet e shitura lëshohet kupon fiskal, si dhe nëse produktet shoqërohen me deklaracionin përkatës të prejardhjes dhe dokumentacionin e kërkuar ligjor.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në kuadër të këtij aksioni, gjatë ditës së sotme janë angazhuar 11 ekipe inspektuese, të cilat kanë vepruar në tetë komunat kryesore të Republikës së Kosovës.
Sipas rezultateve preliminare, siç thuhet në njoftim, gjatë ditës së sotme janë realizuar gjithsej 23 inspektime, prej të cilave 6 lëndë janë përfunduar, ndërsa 17 lëndë mbeten në procedurë.