Dogana zbulon mallra të padeklaruara në kabinën e një kamioni në Han të Elezit
Kronika
November 03, 2026 - 14:34
Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të padeklaruara në kabinën e një kamioni në pikën kufitare në Han të Elezit.
Rasti është zbuluar më 1 nëntor, gjatë kontrolleve të rregullta në hyrje të Kosovës, pasi zyrtarët doganorë kanë vërejtur mospërputhje gjatë verifikimit të dokumentacionit dhe ngarkesës së kamionit.
Pas zgjerimit të kontrollit edhe në kabinën e automjetit janë gjetur 16 dizne për vetura dhe 250 mbajtëse plastike, të cilat nuk ishin deklaruar.
Sipas Doganës, vlera e përgjithshme e mallrave, pa përfshirë detyrimet doganore dhe tatimore, vlerësohet në rreth dy mijë e 400 euro.
Mallrat janë ndaluar, ndërsa rasti po trajtohet në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi. /Zëri