Të akuzuarit për rastin “Capat-Sekiraqët” para Gjykatës, vazhdon administrimi i provave për vrasjen e Premtim Gashit
Foto: Laura Hasani

Të akuzuarit për rastin “Capat-Sekiraqët” para Gjykatës, vazhdon administrimi i provave për vrasjen e Premtim Gashit

Kronika November 05, 2026 - 11:33

Të akuzuarit në rastin e njohur si “Capat-Sekiraqët” janë paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po vazhdon procesi gjyqësor lidhur me përplasjen e armatosur të ndodhur në shtator të vitit 2024, ku mbeti i vrarë Premtim Gashi.

Në këtë proces gjyqësor shqyrtimi i provave dhe dëshmive po vazhdon për të ndriçuar rrethanat e ngjarjes së rëndë që ndodhi më 1 shtator 2024, në lagjen “Aktash” të Prishtinës.

Në seancat e fundit janë dëgjuar dëshmitarë dhe ekspertë të ndryshëm. Më 2 nëntor, në gjykim ka dëshmuar eksperti i balistikës, Fatmir Gashi, i cili ka deklaruar se nga njëra prej pesë armëve të ekzaminuara rezulton të jenë shkrepur 24 fishekë. Në vendin e ngjarjes ishin gjetur gjithsej 85 gëzhoja, ndërsa dyshimet e paraqitura në seancë ishin se në përleshje ishin përdorur deri në 14 armë zjarri.

Rasti lidhet me shkëmbimin e zjarrit mes dy grupeve të njohura si “Capat” dhe “Sekiraqët”, ku përveç Premtim Gashit, i cili humbi jetën, u plagosën edhe pesë persona të tjerë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 12 shkurt 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave, të cilët ngarkohen me vepra të ndryshme penale, duke përfshirë vrasjen e rëndë, vrasjen e rëndë në tentativë, armëmbajtjen pa leje dhe manipulimin me prova.

Sipas aktakuzës, motivi i përplasjes lidhet me një konflikt të mëhershëm të 4 marsit 2024, i cili dyshohet se kishte përshkallëzuar armiqësinë mes dy grupeve. /teve1