Korrupsion e pastrim parash, SPAK-u regjistron akuza të reja për ish-shefen e SHISH-it Vlora Hysenin
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, janë zgjeruar.
Krahas çështjeve për të cilat po hetohej më parë, SPAK-u ka regjistruar akuza të reja ndaj saj, që lidhen me dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash.
SPAK-u po verifikon një transfertë në një kompani ku është i punësuar vëllai i Vlora Hysenit, Izet DIngler. Ndërkohë po verifikohen edhe disa listpagesa që janë gjetur në zyrën e EATABACCO të Ergys Agasit.
Ish-drejtoresha e SHISH-it, është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të dosjes së AKSHI-t, ku dyshohet për përfshirje në veprimtari që lidhen me biznesmenin Ergys Agasi.
Ndaj saj më parë ishin ngritur dyshime veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Në fokus të hetimeve është dyshimi se ish-kryetarja e SHISH-it ka ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi gjatë kohës që ai ndodhej në arrati, duke i vënë në dispozicion informacione konfidenciale shtetërore. Prokurorët po verifikojnë komunikimet dhe marrëdhëniet mes tyre, si dhe nëse informacionet e përcjella nga Hyseni kanë ndikuar në shmangien e Agasit nga autoritetet ligjzbatuese.
Hetimet synojnë të zbardhin rolin e ish-drejtueses së SHISH-it në këtë çështje dhe nëse ajo ka përdorur informacionin e siguruar për shkak të funksionit të saj në shërbimin inteligjent në favor të biznesmenit.
Ndaj Hysenit është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa hetimet e SPAK vijojnë për të dokumentuar të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë e mundshme penale.
Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni u vu nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” më 21 shtator 2026, me vendim të GJKKO. Përveç arrestit në shtëpi, ndaj saj u vendos edhe masa e pezullimit nga ushtrimi i funksioneve publike.
Më 4 nëntor 2026, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sigurisë, duke rrëzuar kërkesën e saj për ndryshimin e saj. /BallkanWeb