Arrestohen dy persona, dyshohen për keqpërdorimin e mbi 62 mijë eurove nga grantet ndërkombëtare
Dy persona janë arrestuar të mërkurën, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Mashtrimi”, lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të organeve të hetuesisë, të dyshuarit H.L. dhe T.M., shtetas kosovarë, në cilësinë e drejtorit dhe menaxherit të një kompanie, dyshohet se kanë keqpërdorur gjithsej 62 mijë e 902 euro nga dy grante në vlerë të përgjithshme prej 575 mijë e 736 eurosh, transmeton Zeri.info.
Granti i parë, në vlerë prej 293 mijë e 500 eurosh, dyshohet se është keqpërdorur në shumën prej 23 mijë eurosh, përmes raportimit të rremë se shpenzimet për blerjen e makinerive ishin realizuar në tërësi.
Ndërsa nga granti i dytë, në vlerë prej 282 mijë e 236 eurosh, dyshohet se janë keqpërdorur 39 mijë e 902 euro, po ashtu përmes raportimit të rremë për realizimin e plotë të shpenzimeve për blerjen e makinerive.
Sipas njoftimit, hetimet për këtë rast kanë të bëjnë me ngjarjen e 4 tetorit 2026.
Dy të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me urdhër të prokurorit të rastit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. /Zëri